Banka Qendrore amerikane rriti përsëri të mërkurën normën e interesit me 0.25 për qind, në vazhdim të përpjekjeve për të ulur inflacionin, pavarësisht shqetësimeve se rritja e normës së huamarrjes mund të përkeqësojnë situatën në sistemin bankar.
“Sistemi bankar i Shteteve të Bashkuara është i shëndoshë dhe i qëndrueshëm,” tha Banka në një deklaratë.
Rezerva Federale paralajmëroi njëkohësisht se rënia e dy bankave të mëdha amerikane “ka të ngjarë të sjellë si rezultat forcimin e kushteve të kreditimit” dhe “të ndikojë tek aktiviteti ekonomik, punësimi dhe inflacioni”.
Banka Qendrore sinjalizoi gjithashtu se ka të ngjarë të jetë pranë fundit të rritjes agresive të normave të interesit.
Megjithatë, Banka bën të qartë se “inflacioni mbetet i lartë”.
Duke folur në një konferencë shtypi, kreu i Rezervës Federale, Jerome Powell tha se “procesi i uljes së inflacionit në 2% do të jetë i gjatë dhe i vështirë”.
Zoti Powell pranoi se disa banka mund të ulin ritmin e kreditimit në një kohë shqetësimesh të thella në sistemin financiar, gjë që mund të ngadalësojë ekonominë dhe ndoshta të veprojë në mënyrë të ngjashme me me një rritje të normës tremujore.
Rritja e normës së të mërkurës, e nënta që ka bërë Banka Qendrore që nga marsi i kaluar, lë të kuptohet se zoti Powell është i bindur se Banka mund të menaxhojë një sfidë të dyfishtë: të stabilizojë inflacionin ende të lartë përmes normave më të larta të kredisë, ndërkohë që zbut luhatjet në sektorin bankar përmes programeve të huadhënies emergjente dhe vendimit të administratës Biden për të mbrojtur depozitat e pasiguruara në dy bankat e falimentuara.
Sinjali i Bankës se po afrohet fundi i rritjeve të normave të interesit, mund të qetësojë gjithashtu tregjet financiare, ndërsa ato vuajnë pasojat e luhatjeve bankare dhe marrjes së kontrollit fundjavën e kaluar të Credit Suisse nga rivali i saj më i madh, UBS.
I vënë nën presion në konferencën për shtyp për faktin që Banka Qendrore, sipas vëzhguesve nuk i vuri re shenjat e qarta se Banka Silicon Valley ishte në rrezik të lartë falimentimi, zoti Powell pranoi se “duhet të forcojmë mbikëqyrjen dhe rregullat.” Por ai tha se sistemi i përgjithshëm bankar është i sigurt, duke thënë: “Këto nuk janë dobësi të sistemit.”
Me rritjen e së mërkurës, norma standarde afatshkurtër nga Banka Qendrore ka arritur nivelin më të lartë në 16 vjet, në nivelin 4.75 deri në 5 për qind. Niveli i ri ka të ngjarë të çojë në kosto më të larta për shumë kredi, nga hipotekat dhe blerjet e makinave te kartat e kreditit dhe huamarrja e korporatave. Rritjet e njëpasnjëshme të normave kanë rritur gjithashtu rrezikun e një recesioni.
Problemet që shpërthyen papritur në sektorin bankar dy javë më parë ka të ngjarë të kenë ndikuar tek vendimi për të rritur normën bazë me një çerek pike dhe jo me gjysmë pike, siç kishte paralajmëruar zoti Powell.
Disa ekonomistë kanë paralajmëruar se edhe një rritje modeste tremujore e normës bazë, krahas rritjeve të mëparshme të saj, mund të vërë në rrezik bankat më të dobëta, klientët nervozë të të cilave mund të vendosin të tërheqin depozita të konsiderueshme.